U desh një reagim në minutat e fundit, u desh që Garet Sauthgejti të hidhte në fushë Xhek Grilishin, dhe që gjermanët të mos luftonin dot deri në minutën e fundit (diçka jo karakteristike për ta), që “tre luanët” të shpëtonin “lëkurën” në Mynih. Përfundoi 1-1 në “Alianc Arenë”, sfida e Ligës së Kombeve mes Gjermanisë dhe Anglisë, një rezultat shumë i mirë për shpikësit e futbollit pas disfatës në Hungari, dhe një goditje e rëndë për ekipin e trajnerit Hansi Flik. Hofman shënoi golin e avantazhit për vendasit, ndërsa Harri Kejn fitoi penallti që e ktheu në gol në 88’. Gjermania pati më shumë zotërim topi, ndërsa gjuajtjet ishin thuajse aty-aty.
Për ishullorët po zhvillohej një lojë e dobët, aspak siç ndodhi në fitoren 5-1 në Mynih në vitin 2001, por rezultati mund të japë besim. Pas fitores 2-1 në raundin e dytë në Europian, Anglia sërish nuk u mund nga gjermanët duke treguar të paktën një vazhdimësi dhe një forcë karakteri që më parë ndoshta nuk e ka pasur. Natyrisht, gjithçka është e hapur në një grup ku bën pjesë edhe Italia, por pse jo edhe Hungaria.
Gjermani-Angli 1-1 (Hofman 50’, Kejn 88’ (p))
Gjermania (3-4-2-1): Nojer, Klosterman, Rydiger, Shloterbek, Hofman (Gnabri 65’), Gyndogan (Sane 83’), Kimih, Raum, Myler (Gorecka 75’), Musiala (Verner 65’).
Anglia (4-2-1-3): Pikford, Uolker, Megajer, Stouns, Tripier, Filips (Belingam 14’), Rajs, Maunt (Grilish 72’), Stërling, Kejn, Saka (Bouen 80’).
Sfidanti.al