Edhe ambiciozi Hamilton kënaqet “me pak”: Fitore? Dua titullin!

Ishte Sebastian Fetel më i shpejti në provat zyrtare (pole position) në Çmimin  Madh të Meksikës. Pista në Meksiko Siti tregoi atë që e kishte thënë Ljuis Hamilton që më përpara, pra që ky cirkuit nuk i përshtatet shumë Mercedesit, por më shumë Ferrarit. E vërtetë! Anglezi që kryeson Botërorin mbeti gjysmë sekondi prapa gjermanit të Ferrarit, me Maks Verstapenin që thuajse fitoi provat.

Fetel u përgjigj në xhiron e fundit, me një paraqitje të shkëlqyer, dhe me një makinë që ka pasur më shumë probleme besueshmërie, strategjie dhe fati, sesa shpejtësie. Ai jo vetëm arriti “pole position”-in e 50-të jubilar në karrierë, por edhe nuk lejoi Verstapenin t’i thyente rekordin si piloti më i ri në histori që fitonte provat zyrtare, gjë që ai e arriti kur ishte 20 vjeç, tek Toro Roso në 2008, në Monza.

Hamilton shpallet kampion i botës edhe nëse Fetel fiton garën dhe ai del në vendin e pestë. Kjo, pasi ai ka 331 pikë ndaj 265 të gjermanit, kur mbeten edhe 3 gara deri në fund.

Sfidanti.al