Mosha nis ta tregojë veten edhe me anë të dëmtimeve. Trupi i një 37-vjeçareje nuk është aq elastik dhe i fortë sa i një 25-vjeçareje, të themi, dhe këtë e ndjeu Serena Uilliams. Amerikania e madhe ishte e vendosur të barazonte rekordin e legjendës Margaret Kourt, me 25 Grand Sleme në karrierë, dhe këtë do ta bënte në Melburn, nëse fitonte Australian Openin.
Iu afrua shumë ëndrrës, por një dëmtim në kavilje “e mori në qafë”. Gjysmëfinalja ndaj çekes Karolina Plishkova ishte dramatike. Çekja luajti shumë mirë në setin e parë dhe e fitoi 6-4 (për 40 minuta), pa pasur asnjë rrezik. Në setin e dytë, Uilliams u përmirësua dhe arriti ta fitontë po 6-4. Drama e madhe ndodhi në setin final, kur Serena u duk se po “fluturonte” duke arritur avantazhin 5-1.
Pikërisht, në pikën e ndeshjes, ajo dëmtoi kaviljen, dhe prej aty nisi rënia. Plishkova fitoi 5 lojëra radhazi, për të triumfuar 7-5 në këtë set, ndonëse Uilliams pati 4 topa për të mbyllur ndeshjen. Plishkova është tenistja më e mirë në botë që nuk ka fituar dot asnjë Grand Slem, dhe shpreson që t’ia dalë në Melburn. Në finale, ajo do të luajë ndaj japonezes Naomi Osaka.
Sfidanti.al