Duplantis rekord në kërcim me shkop, por rekordin në natyrë e mban Bubka!

Është amerikan për nga lindja, dhe suedez për nga nënshtetësia. Quhet Armand Duplantis (në frëngjish lexohet Arman Dyplantis) dhe është bërë njeriu që kërcen më lart nga sipërfaqja e tokës, me shkopin në dorë. Suedezi 20-vjeçar vendosi rekordin e ri botëror në kërcim me shkop, me rezultatin 6 metra e 17 centimetra, në garën e zhvilluar në sallë të mbyllur, në Arenën e Torunit në Poloni. Djaloshi që mban rekordin botëror U20 (po për salla të mbyllura) me 6 metra e 5 centimetra, pati koordinimin e shkëlqyer duke lënë pas rekordin e mëparshëm botëror që mbahej nga francezi Reno Lavijenie (Renaud Lavillenie), dhe që ishte vendosur në 15 shkurt 2014, pra gati 6 vjet më parë, në Donjeck të Ukrainës. Pikërisht, Donjecku është vendlindja e legjendës më të madhe të kësaj disipline sportive, Sergej Bubkës së Ukrainës dhe të ish-Bashkimit Sovjetik (BRSS), i cili kishte rekordin botëror në salla të mbyllura deri në 2014, me rezultatin 6.15 metra, rekord të vendosur në 1993. i paarritshmi Bubka mban ende sot e kësaj dite rekordin botëror në qiell të hapur (në stadium) të kësaj gare, me 6.14, rezultat arritur që në 1994 dhe që nuk është tejkaluar ende. Ndoshta Duplantis mund t’ia dalë të kalojë mjeshtrin e madh. Jo më kot është 20 vjeç.

Sfidanti.al