E ndihmoi edhe fati dhe kombëtarja e tij nuk do të ketë përballë në finalen e 29 marsit të frikshmen skuadër kampione të Europës. Llogaritë ishin që Portugalia të ndeshej me Italinë në plej ofin për Kupën e Botës, veçse Maqedonia e Veriut u bëri një nder “luzitanëve” duke eliminuar 4 herë kampionët e botës. Fitorja 1-0 e “të vegjëlve” në Palermo do të thotë se portugezët mund ta kenë rrugën të hapur për në finalet e Katarit, dhe Kristiano Ronaldo të vazhdojë të luajë për kombëtaren në një tjetër turne të madh. Gjithsesi, CR7 e kupton mirë që Maqedonia e Veriut i bëri së pari nder vetvetes, dhe pastaj (indirekt) portugezëve, dhe se e papritura mund të ndodhë sërish. “Ne hodhëm hapin e parë drejt objektivit tonë të madh, drejt Kupës së Botës, – shkruajti ai në Instagram, – asgjë nuk është fituar, asgjë nuk është arritur. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort dhe të respektojmë kundërshtarin, pa humbur besimin në vetvete”. Maqedonia e Veriut fitoi 1-0 në fushën e Italisë ndërsa disa muaj më parë mundi 2-1 Gjermaninë në fushën e kësaj të fundit.
Sfidanti.al