Nëse do të lexosh në arkivat e seancave të parlamentit britanik diku në shekullin e 19-të, do të pikëllohesh thellësisht nga tallja me të cilën zotërinjtë deputetë të Perandorisë më të madhe të botës, i përgjigjeshin ankesave të të burgosurve irlandezë, që ishin plasur nëpër qeli sepse donin liri për vendin e tyre. E shkruar e zeza mbi të bardhë do të lexosh sesi deputetët qeshin kur lexohej se të burgosurit ankoheshin se ndaj tyre përdorej dhuna, se kishin kushte të këqija dhe ushqim të keq.
Këto gjëra me siguri nuk i di adoleshenti irlandez, të cilit nuk i jepet emri, por që ofendoi rëndë në rrjetet sociale, ish-sulmuesin e shquar të Arsenalit, Ian Rajt. Me zhargonin e zakonshëm të atyre të bardhëve që nuk kanë lexuar në jetë asgjë tjetër përveç dokrrave, ai i shkruan Rajtit se “unë të urrej, urrej familjen tënde, që ka qenë mbledhëse pambuku në fusha” (nënkuptim i qartë për kohën skllavërisë në SHBA deri në 1865). Ky adoleshent u dorëzua në polici, pasi u kuptua se do të kishte probleme. Vetë Rajti deklaroi se duhet të mësohet me gjëra të tilla, por sërish këto ofendime e plagosën në zemër, pra sesi ka mundësi që një djalë kaq i ri të mbruhet në këtë mënyrë!
Sfidanti.al