Paulo Dibala me koronavirus, por sa me fat që është yll futbolli!

Padyshim nuk do ta kenë destinin e atyre familjeve në Kinë, që u detyruan të pranonin vdekjen e të dashurve për shkak të shtetrrethimit të hekurt e të tmerrshëm. Nuk do të vuajnë as si mjaft të vjetër në Itali, që lihen pa mjekin dhe pa respirator, sepse sistemi shëndetësor nuk i përballon dot të gjithë.

Paulo Dibala dhe e dashura e tij, Oriana Sabatini, kanë dalë pozitivë me koronavirus, padyshim një lajm që sjell keqardhje njerëzore për të gjithë, e më shumë për tifozët e Juventusit, por gjithsesi, ata mund të quhen fatlumë edhe në gjendje të sëmurë. Lajmin e pohoi vetë sulmuesi argjentinas në Instagram, dhe po ashtu klubi i tij, Juventusi, në një deklaratë zyrtare. Të dyja palët informojnë se çifti i ri është mirë, se nuk ka simptoma, ndërsa nga “Zonja e Vjetër” shtohet se ata janë në monitorim. Çfarë fati të jesh futbollist profesionist, aq më shumë në një nga 5 ligat kryesore të Europës, dhe edhe më shmë fat që je tek Juventusi.

Për klubin italian, Dibala dhe të tjerët vlejnë më shumë sesa një njeri, pasi ai është një mall, një “komoditet”, kartoni i të cilit vlen më shumë se 100 milionë euro (ndërsa e dashura e tij vlen më shumë sepse është “aksesor” i yllit juventin). Një investim i tillë duhet mbrojtur patjetër, edhe sikur mijëra e mijëra njerëz të tjerë të vdesin në Itali. Për Dibalën apo Ronaldon do të gjenden tamponë, respiratorë, ilaçe nga më të mirët, qoftë edhe nga Japonia, Gjermania, Kina apo SHBA, madje edhe “qumësht dallëndysheje nëse do të ishte e nevojshme). Kjo, edhe pse mund të mos ketë për mijëra e mijëra qytetarë të thjeshtë. Me të vërtetë, jemi të barabartë para ligjit, jemi “me shanse të barabarta”, siç ishte emri i një ministrie të qeverisë shqiptare. Me këtë rast, të kujtohet shprehja e ministrit të koronavirusit, të caktuar në qeverinë Rama, e Arben Ahmetajt, që u shpreh se “kompanitë duhet të tregojnë kujdes për punonjësit, sepse ata janë asete”! Kjo ka rëndësi, që janë asete, por që janë njerëz dhe familjarë, kjo nuk vlen të përmendet!

Sfidanti.al