Reali pret ngushëllime, presidenti i madh Lorenzo Sanz vdes nga virusi!

Cila kupë e kampionëve mund të quhet më e dashura nga tifozët madrilenë? Nëse do të përjashtosh atë të parën, në 1956, padyshim më emocionuesja është e 7-ta, fituar në maj 1998, në finalen e vështirë ndaj Juventusit të Marçelo Lipit. Ishte Reali i Jup Hajnkesit që ia doli, me golin e shënuar nga sulmuesi malazez, Predrag Mijatoviç, ndërsa ai që u gëzua më shumë në tribunën VIP, ishte presidenti Lorenzo Sanz. Biznesmeni i njohur, sot u bë viktima e radhës, dhe njëra nga më të shquarat, e koronavirusit.

Mediat spanjolle dhe vetë klubi “mbretëror” e dhanë lajmin nën shenjën e zisë mortore, dhe padyshim me shumë të drejtë. Lorenzo Sanz ishte një nga presidentët më të mëdhenj të Realit, ai që e ringjalli klubin në nivelin europian, duke i siguruar Championsin e parë që nga 1966, pas një pritjeje 32-vjeçare. Pasi mori mandatin në 1995, ai shpenzoi paratë e tij për të sjellë në ekip Mijatoviçin dhe Davor Shukerin, sulmuesin legjendar të Kroacisë, duke ndërtuar një Real triumfues. Vetëm të tillë si Santiago Bernabeu, apo Florentino Perez mund të cilësohen presidentë që mund ta kalojnë Sanzin, madje ky i fundit humbi ndaj Perezit në zgjedhjet e vitit 2000 vetëm për pak më shumë se 3 000 vota.

Biznesmeni i shua në një moshë jo tepër të madhe, 76-vjeçare, por ai kishte probleme me shëndetin përpara sesa të sëmurej me koronavirusin. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar në zemrën e tifozëve madrilenë dhe në futbollin spanjoll. Ai fitoi edhe Championsin e vitit 2000, fitoi Kupën Ndërkontinentale për klubet në 1998, Superkupën e Spanjës në 1997, por vetëm një titull kampion (në 1997).

Sfidanti.al