Nuk dihet nëse me këtë lojë, do të arrihet tek titulli. Të kuqtë e Jurgen Klopit i kanë të qarta synimet, madje maksimale, por deri tani nuk po tregojnë veten në një garë që duket e pabarabartë jo vetëm me Sitin e Halandit, por edhe me Arsenalin e Granit Xhakës. U desh një gol i Fabio Karvaljos që të arrihej fitorja 2-1 ndaj Njukasëllit në minutën e 98-të (!!!), ndërsa 20-vjeçari spanjoll ia bëri vetes një dhuratë në mbrëmjen e ditëlindjes. Mediat angleze theksuan se goli i dytë i të kuqve erdhi pas goditjes së 13-të nga këndi, ndërsa në 12 goditjet e para nuk pati asnjë moment të rrezikshëm në portën e Njukasëllit.
Tifozët e “laraskave” u hodhën në sulm në rrjetet sociale duke akuzuar arbitrin se e shtoi ndeshjen me 8-9 minuta, ndërsa koha shtesë e akorduar ishte 5 minuta! Kjo ishte fitorja e dytë e Liverpulit në kampionat, dhe skuadra e Klopit ka vetëm 8 pikë ndaj 15 të Arsenalit apo 13 të Sitit! Gjithsesi, tekniku gjerman për momentin vetëm feston. “Ishte momenti i duhur për të fituar një ndeshje të tillë, kaq të fortë dhe kaq dramatike, – tha ai, – ishte shumë e vështirë. Nuk ishim në gjendjen e duhur për shumë minuta. Gjithsesi, ruajtëm qetësinë dhe nuk e humbëm besimin. Kjo fitore do të mbahet mend dhe duhet të vazhdojmë të fitojmë”.
Sfidanti.al