Më të mirët e Botërorit ishin aty, në fushë. Ja ylli i së ardhmes, edhe pse që tani kampion i botës. Kilian Mbape, u shpall lojtari i ri më i mirë i turnuut rus, i treti adoleshent që luan në një finale, i dyti pas Pelesë që shënon në të. Gjithsesi, numri 1 i Kupës së Botës nuk ishte nga skuadra fituese.
Pa as më të voglin dyshim, zgjedhja e Luka Modriçit nuk u bë për të ngushëlluar kroatët, por sepse numri 10 e meritoi. Këta ishin yjet më të mëdhenj të një Botërori ku shkëlqyen edhe Eden Hazar apo Antuan Grizman dhe ku Harri Kejn ishte shënuesi më i mirë. Lojtari më i mirë i finales, ndërsa ishte pikërisht francezi Antuan Grizman.
Cilat ishin deklaratat e kampionëve dhe nënkampionëve? Trajneri i Francës Didie Deshamp u ndërpre dy herë në konferencën e tij. Së pari, nga legjenda e Kroacisë Dinamos së Zagrebit, dhe Milanit, Zvonimir Boban. Më pas, në një gjetje jo edhe aq origjinale, ishin futbollistët francezë që thirrën në kor emrin e trajnerit, dhe bënë lëmsh sallën e konferencës. Më së fundmi, Deshamp foli dhe hodhi tej çdo kritikë.
“Është e vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, – tha ai, – Njerëzit do të mbajnë mend gjithmonë që ishte Franca që doli kampione e botës, pra që ne i bëmë më mirë gjërat se të tjerët. Mos harroni që pata në dispozicion një grup shumë të ri, pasi 14 lojtarë ishin për herë të parë në Kupën e Botës. Çështja ishte se ne patëm cilësi të lartë, kjo vendosi. Krenaria ime më e madhe ka lidhje me faktin se lojtarët e mi patën forcën e duhur mendore gjatë gjithë Botërorit. Ndoshta ne nuk jemi kampionia më e bukur, por jemi kampionia”
Me duartrokitje u prit edhe humbësi i madh, trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç. “Së pari dua të përgëzoj Francën për fitoren, – deklaroi kroati, – Ne luajtëm mirë, kontrolluam lojën në një pjesë të madhe të saj, reaguam pasi pësuam golin e parë, pastaj erdhi penalltia. Më lejoni t’iu them se në finale të Botërorëve nuk jepen penallti të tilla. Gjithsesi, nuk dua të ul meritat e Francës. Ndoshta, këtë herë nuk patëm fat, ndërsa në ndeshjet e mëparshme fati ishte me ne. Dua të përgëzoj thellësisht lojtarët e mi, që luajtën ndeshjen më të mirë në Botëror”.
Sfidanti.al