Dihej që më parë se ishte legjendë, por duhej ta bënte edhe këtë që të hynte në një shoqëri tepër të zgjedhur. Mani Pakiao u shpall përsëri kampion bote në boksin profesionist pasi mundi kampionin në fuqi, Lukas Matise në ringun e Kuala Lumpurit. Në moshën 39-vjeçare ai po i ngjan gjithnjë e më shumë legjendarit Xhorxh Foreman, që gjithashtu ishte kampion në kohën e “pensionit”.
Plot 15 000 tifozë ishin në sallë për të ndjekur kampionin që e hodhi kundërshtarin nokaut në raundin e shtatë, fitorja e parë me nokaut për të, që nga viti 2009. Pakiao ka tani 60 fitore, 2 barazime e 7 humbje. Ky ishte titulli i 11-të botëror për filipinasin që është hero në vendin e tij. Një vit më parë, ai humbi titullin WBO në peshat e mesme pas humbjes së papritur me australianin Xhef Horn, por tani u kthye si kampion i WBA-së.
Sfidanti.al