Superliga Europiane, për momentin e “varrosur”, ishte tentativa e elitës për të zotëruar gjithë pushtetin financiar të lojës më të ndjekur në botë. Nën udhëheqjen e triumviratit Real-Barça-Juve, 12 klubet më të pasur të kontinentit (minus Bajernin e PSG-në) u përpoqën të krijonin një klub të mbyllur dhe përjashtues, pa meritokraci sportive, por vetëm në bazë të fuqisë ekonomike. Kjo për momentin u hodh poshtë, por futbolli europian kërcënohet nga rebelimi i “klasës së mesme”. Përfaqësues i këtij “rendi” ka dalë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, klubi i të cilit vërtet ka emër të madh në Itali, por nuk mund të krahasohet me Juventusin, Interin e Milanin, dhe merr shumë më pak të ardhura sesa kjo treshe, sidomos nga e drejta televizive.
“Paratë që na jep UEFA nga Championsi dhe Liga e Europës janë qesharake për shpenzimet që duhen për të konkurruar, – thotë ai, – ne duhet të krijojmë një Superligë të Europës, që do të përcaktohet nga meritokracia sportive, me ekipe që do të ngjiten dhe do të rrëzohen”. De Laurentis mund të shihet si prijësi i një shtrese të klubeve të mesme si Napoli, Roma, Lacio, Sevilja, Vijarreali, Valencia, Lioni, Marseja, Monako, Bordoja, Lajpcigu, Dortmundi (nëse), Frankfurti, Lidsi, Evertoni, Aston Vila, Gllazgou Rejnxhërsi apo Sëlltiku, që nuk janë aq të varfër, por as shumë të pasur. Sipas bosit napolitan, vlera e kësaj lige do të arrinte në 10 miliardë euro. UEFA është në dilemë, e sulmuar nga të gjitha anët, ndërsa nuk dihet sesi do të përfundojë kjo luftë për pushtet në futbollin europian.
Sfidanti.al