Murinjo “e djeg” për ndeshjen e 1000-të, por është larg Sër Aleksit!

Ishin mbledhur në një restorant të Romës dhe hareja ishte në kulm për “sebepin” e trajnerit. Skuadra verdhekuqe italiane, e udhëhequr nga “paria” (presidenti Fridkin dhe familja e tij), kishin një rast të madh, atë që tekniku i tyre Zhoze Murinjo mbushi 1 000 ndeshje në stol. Pasi u festua me fitore 2-1 në “Olimpiko” ndaj Sasuolos, Fridkin vendosi të tregonte se Roma është edhe një familje, dhe e gjithë skuadra, me stafin teknik dhe zyrtarë të tjerë ishin në një restorant të prenotuar 100 për qind. Jashtë tij prisnin nja 20 tifozë, por më shumë ishin policë dhe forca të sigurisë private. Murinjo vërtet hyri në elitën e trajnerëve me më shumë ndeshje, por aq nuk mund të mendohet të arrijë Sër Aleks Fergusonin që ka 2 155 deshje në karrierë. Madje, as një si Arsen Vengeri që ka 1 701, Graham Tërnerin me 1 659 apo Aleks Stokun me 1 618. Do të ishte madhështore nëse do të arrinte trajnerin e shquar anglez të Notingem Forestit, Brajan Klaff që ka 1 453 ndeshje.

Sfidanti.al