Çung, miopia nuk e pengoi që të mundte legjendën Gjokoviç

Novak Gjokoviçin e ndoqi për herë të parë në një ndeshje kur ishte 10 vjeç. Tenisti serb ishte një nga idhujt e koreanojugorit Hieon Çung (Hyeon Chung), njëri prej atyre që ai dëshironte t’i ngjante. Kanë kaluar 11 vjet dhe djaloshi 21-vjeçar realizoi ëndrrën e tij për të luajtur përballë Noles, por edhe ambicien për të fituar.

Çung është pjesë e asaj që quhet “brezi i ardhshëm”, pra ajo gjeneratë që do të zëvendësojë legjendat Federer e Nadal (padyshim edhe Gjokoviç). Deri tani, më shumë ishin përmendur emrat e Aleksandër Zverevit nga Gjermania, Denis Shapovalovit nga Kanadaja dhe Andrej Rublovit nga Rusia (për çudi, të gjithë me origjinë ruse), por në Australian Open 2018, emri kryesor është Çung.

Koreanojugori, me babain dhe xhaxhain tenistë, u diagnostikua me miopi që në moshë të vogël dhe gjithnjë ka mbajtur syze. Ky defekt nuk e pengoi aspak të arrinte në çerekfinale në Melburn ku do të ndeshet me Tenis Sandgrenin.

Sfidanti.al