Ç’ndodhi që Blateri “ia beson” Botërorin 2020, “armikut” SHBA?!

Për momentin, asgjë nuk ka ndryshuar dhe Kupën e Botës duhet ta organizojë Katari, por nga Shtetet e Bashkuara kanë dalë akuza për korrupsion. Deri këtu, asgjë për t’u habitur, por çudit reagimi i ish-presidentit të FIFA-s, Zep Blater, i cili u largua nga detyra pikërisht me ndërhyrje të amerikanëve. Zvicerani veteran, i përjashtuar 6 vjet nga futbolli, i thur eloze SHBA-së, duke e paraqitur si kandidat numër 1 për të organizuar Botërorin 2022, nëse Katarit i hiqet e drejta.

“Amerika mund ta organizojë Kupën e Botës, edhe pse nuk ka shumë kohë, – u shpreh ai, – kjo nuk është fantazi shkencore, por një realitet, pasi SHBA i ka mundësitë për ta bërë. Mund ta bëjë edhe Japonia, mund ta bëjë edhe Gjermania, por kjo nuk mund të llogaritet pasi Europa e pati Kupën e vet në Rusi në 2018”. Akuzat janë bërë për Katarin, por edhe për Rusinë, ndonëse shteti i Putinit mbaroi punë me turneun e vet. Katari dhe rusët kanë hedhur poshtë akuzat, ndonëse sipas mediave amerikane nga shteti i Lindjes së Mesme më shumë duket sikur thuhet “ju nuk i vërtetoni dot akuzat tuaja”, në vend të “nuk kemi bërë asgjë”. Blateri ndoshta do të kërkojë një “notë” të mirë nga amerikanët, ndonëse ai me futbollin padyshim që e ka mbyllur.

Sfidanti.al