Çmenduri në Frozinone për Ronaldon, biletat “kacafiu”!

Pritja ishte madhështore, a thua se po zbriste në qytet Profeti vetë. Kristiano Ronaldo bardhezi bëri që mbërritja e Juventusit në Frozinone të ishte e jashtëzakonshme, me qindra tifozë pranë hotelit ku u vendosën kampionët. Çmenduria (kryesisht e adoleshentëve) nuk mbaroi me turravrapin për ta parë nga afër CR7-ën, por vazhdoi me çmimet e biletave.

Tribuna që quhet e autoriteteve arriti deri në 300 euro një biletë, ndërsa rekordi sipas mediave italiane ishte 680 euro. Në tërësi, shpenzim i madh për të parë Juventusin në Frozinone, kosto që rritet vite me radhë në qytetin lacial pranë Romës.

Kontrasti në një ndeshje të tillë nuk mund të ishte më i madh. Ronaldo është lojtari më i madh i skuadrës më të fortë të Italisë, ndërsa Frozinone sipas parashikimeve është ekipi më i dobët i Serisë A, kandidati numër 1 për të zbritur në Serinë B.

Portugezi fiton dyfishin e parave që marrin gjithë futbollistët e Frozinones, ndërsa në rrjetet sociale ka 2 400 herë më shumë pëlqime sesa ata të marrë së bashku. Gjithsesi, secili prej djemve që luajnë për Frozinonen mund të ndihen po aq mirë dhe po aq krenarë sa CR7-ta, pasi jeta ka shumë më tepër gjëra sesa kaq.

Sfidanti.al