Shalke e ka menduar gjithnjë veten si një nga skuadrat e mëdha të Gjermanisë. Historia flet për të, por është një traditë tashmë tepër e largët, e mbyllur në vitin 1958 me titullin e shtatë dhe të fundit në Bundesligë. Sot, ekipi që mbiquhet “Blutë Mbretërorë” apo “Minatorët” ka sërish një publik të jashtëzakonshëm, por një realitet të frikshëm.
Ekipi është në vend të fundit në kampionat, me 4 humbje, përfshi edhe këtë të fundjavës ndaj Bajernit në Gelsenkirshen. Vendasve u dhembën jo vetëm dy golat e pësuar me autorë Hames Rodrigezin dhe Robert Levandovskin, por sidomos problemet e brendshme, me argjentinasin Franko Di Santo që hapur u sherros me trajnerin Tedesko.
Di Santo, pasi u zëvendësua në minutën e 70-të duke luajtur dobët (nota 5 sipas mediave gjermane), bëri një gjest duke treguar shtatë gishta të të dyja duarve ndaj trajnerit. Tedesko iu kthye me të bërtitura, ndërsa ndeshja vazhdonte. Ishte e qartë se Di Santo nuk ishte i kënaqur me zëvendësimin, ndërsa trajneri theksoi se “sjellja e tij ishte mungesë respekti ndaj shokëve dhe klubit, do të flasim me të, pastaj do të vendosim nëse do ta dënojmë dhe sa do ta dënojmë”.
Ndaj Bajernit ishte e qartë se nuk do të ishte ndeshja e kthesës. Bavarezët dominuan dhe fituan me meritë 2-0 në stadiumin e Gelsenkirshenit.Një tjetër lajm i keq ishte dëmtimi i mesfushorit amerikan, Ueston Mekkeni, por që doli më pak i rëndë sesa u mendua fillimisht.
Sfidanti.al