Janë kaq shumë saqë as një stadium gjigand nuk i përballon. Tifozët argjentinas duket se do të jenë çmenduria më e madhe e finales së Kupës së Botës, e përveç rreth 40 000 apo 50 000 që ndodheshin që më parë në Katar, po vijnë edhe të tjerë. Nga Buenos Airesi lajmërohet se qindra e mijëra njerëz kanë vendosur të udhëtojnë orët e fundit për të qenë të pranishëm në një moment që mund të jetë historik. Mediat shkruajnë se dy avionë të tjerë mbërrijnë në Doha me 500 vetë në bord. Stadiumi “Lusail” me 88 000 vende kapacitet duket i vogël për ta, e për më tepër ka probleme me gjetjen dhe blerjen e biletave.
Sipas televizioneve nga Argjentina, tifozë të Brazilit, Portugalisë apo Marokut po i shesin biletat meqë ekipet e tyre nuk dolën në finale, por ato ose janë shumë të shtrenjta, ose kanë mbaruar ndërkaq. Tregu i zi po lulëzon dhe lajmet janë që policia vendase ka kryer arrestime të atyre që kërkojnë të shfrytëzojnë momentin. Argjentinasit kanë organizuar edhe një protestë për vështirësitë që po hasin në prag të finales. Shpresa e madhe është që kombëtarja e tyre e udhëhequr nga Lionel Mesi të mundet të fitojë titullin, pavarësisht se shumica e tyre do të kthehen në shtëpi me xhepat bosh pas shpenzimeve të mëdha në këtë Botëror.
Sfidanti.al