Kanë kaluar 24 vjet që nga hera e parë. Kroacia do të përsërisë sot një ndeshje për vend të tretë në Botëror, që e luajti dhe e fitoi në 1998 ndaj Holandës. Këtë herë përballë ballkanasve do të jetë një skuadër e papritur, Maroku, që i shtangu të gjithë duke arritur në gjysmëfinale. Besohet se të besuarit e trajnerit Zllatko Daliç nuk do ta nënvleftësojnë aspak përballjen, edhe pse këtë herë kanë një zhgënjim që nuk e arritën finalen siç bënë 4 vjet më parë në Rusi. Për më tepër do të kenë probleme në formacion. Yje si Brozoviç apo Lovren nuk janë në formacion, Juranoviç është i dëmtuar ashtu si Borna Sosa ndërsa Pashaliç është lënë në stol. Lojtarë si Shutalo apo Stanishiç do të debutojnë, ndërsa Daliç është shprehur se ekipi do të bëjë gjithçka për t’i dhënë një tjetër kënaqësi kombit kroat.
Maroku po ashtu ka mungesa. Trajneri Regragui nuk ka treshen Aguerd, Mazraui dhe Sais, por gjithsesi lojtarët e tjerë janë gati si Hakimi, Amrabat, Zijeç apo El Nesiri. Edhe Regragui ka pohuar se skuadra arabe do të japë maksimumin për të fituar për herë të parë vendin e tretë në një Kupë të Botës. Kjo ndeshje është si një ngushëllim për dy ekipet, që dëshironin finalen, por që mund të marrin të paktën medaljen e bronzit.
Sfidanti.al