Është e qartë se trajneri i kombëtares do të mbrojë lojtarët e tij, sidomos ata më të rëndësishmit. Ky është një rregull që nuk shkelet kurrë në futboll dhe Fernando Santos nuk ka ndërmend ta shkelmojë aq më pak për Kristiano Ronaldon. Bosi i Portugalisë ia shtoi presionin trajnerit të Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, duke thënë se “një lojtar si Kristiano Ronaldo duhet të luajë sa më shumë minuta”. “Ai do të luajë ndaj Katarit sepse ai ka nevojë për kohë për të luajtur, – sqaroi Santosi, – ndeshja e fundit e plotë e tij ishte në Champions në 29 shtator. Nëse do të luajë vetëm kundër Luksemburgut, ai do të ketë 15 ditë pa një ndeshje të plotë”. Një kritikë indirekte për Solskjerin, që i shtohet asaj të Sër Aleks Fergusonit që u kap nga kamerat duke i thënë ish-kampionit të UFC-së, Nurmagomedov se “një trajner duhet ta nisë ndeshjen gjithmonë me lojtarët e tij më të mirë”. Kjo për ndeshjen e Man. Junajtidit ndaj Evertonit në “Old Traford” ku Ronaldo hyri si zëvendësues dhe që përfundoi 1-1 për Premier Ligën.
Sfidanti.al