Kampioni i botës limitoi dëmet për shanset e tij për të ruajtur titullin duke fituar provat zyrtare në Çmimin e Madh të Turqisë në Stamboll. Ljuis Hamilton me Mercedesin e tij zuri vendin e parë, duke lënë pas Valteri Botasin, dhe i treti doli Maks Verstapen, por kryesuesi i renditjes së Botërorit në Formula 1 do të niset nga vendi i 11-të sepse ka ndërruar motorin. Duke pasur 2 pikë më shumë sesa holandezi i Red Bullit, ai nuk dëshiron të humbasë terren. Anglezi dha kohën 1’22”868, 13 të qindtat më të shpejtë sesa të shoku të skuadrës, ndërsa Verstapeni dha kohën 1’23”196, rreth 2.5 të dhjetat më ngadalë. Diferenca nuk është e madhe dhe shumëçka do të varet nga nisja. Nëse Botasi mban vendin e parë, dhe nëse Hamiltoni nuk pëson ndonjë aksident për shkak të pozicionit të vështirë në mes të grupit, shanset janë për të qenë në podium, pse jo edhe për të synuar më shumë. Gjithsesi, kampioni i botës ka vetëm një synim, të mos lejojë që rivali i tij holandez ta kalojë në renditjen e përgjithshme të Botërorit, dhe kjo do të thotë se ai duhet të përfundojë përpara pilotit të Red Bullit.
A do të mundë që ta bëjë? Vetë Hamiltoni ia ka dalë duke u nisur nga vendi i 14-të në Çmimin e Madh të Gjermanisë në 2018, Fernando Alonso në një rast fitoi duke u nisur nga vendi i 15-të, Shumaheri nga vendi i 16-të (në 1995), Kimi Raikonen duke qenë i 17-ti dhe rekordin e mban Rubens Barrikelo që doli fitues në Çmimin e Madh të Gjermanisë në vitin 2000 duke qenë i 18-ti.
Sfidanti.al