Ky moment magjik bëri diferencën në Arenën e Budapestit, dhe Shqipëria është një hap më pranë Botërorit. Armando Broja shënoi një gol të shkëlqyer në fushën e Hungarisë duke na dhënë fitoren, duke na bërë të mbajmë vendin e dytë në grupin eleminator, e duke na shtuar shanset për të shkuar të paktën në plej of, pra drejt pengesës së fundit për kualifikmin historik. Gjithsesi, në “Arenën Pushkash” kombëtarja nuk mori vetëm tri pikët, por edhe konfirmimin si një ekip serioz europian, që meritoi gjithçka në një impiant që për fat ishte pa tifozë. Duke përsëritur dominimin ndaj Hungarisë, që treguam në “Elbasan Arena”, kuqezinjtë mund të kishin shënuar më parë, ndërsa neutralizuan një ekip që kishte ndalur Francën dhe Gjermaninë në finalet e Europianit në muajin qershor. Myrto Uzuni pati dy-tri raste për të shënuar më parë, në 45 minutat e fillimit, dhe po ashtu pas pushimit, ndërsa momentet e tjera të mira të kombëtares ishin edhe me Baren e sidomos me Gjasulën.
Pavarësisht fatit të keq, që solli dëmtimin e Berat Gjimshitit e daljen e tij nga loja, skuadra e trajnerit Edi Reja nuk e ndjeu mungesën e yllit të mbrojtjes së Atalantës në Serinë A. Natyrisht, edhe Hungaria pati momentet e saj, siç ishte shtylla 5 minuta para golit të Brojës, por kjo nuk i heq asnjë presje meritave të kuqezinjve. Shqipëria ka tani 15 pikë, duke qenë në vendin e dytë me 1 pikë mbi Poloninë që e presim në 12 tetor në “Arenën Air Albania” në Tiranë. Nëse do të arrijmë të mundim edhe ekipin e Levandovskit, atëherë mund të themi se do të jemi thuajse në plej of për të synuar për herë të parë finalet e Kupës së Botës. Do të ishte suksesi i dytë i madh në histori, pasi shkuam në finalet e Europianit në 2016, nën drejtimin e një tjetër trajneri italian, Xhani De Biazit.
Sfidanti.al