Juventusi gaboi që nuk e mori Halandin në 2018 për 3 milionë euro

Gjithsesi, edhe nëse do ta kishte marrë, nuk do të kishte pasur mundësi ta mbante shumë. “Zonja e Vjetër” gjithashtu mund të bëjë gabime, dhe këtë e pohoi Bepe Marota, ish-drejtori sportiv juventin në atë kohë, i cili tregoi sesi gjahtarët e talenteve të klubit nga Torino e kishin pikasur Erling Halandin tek Molde. Kur Juvja e kërkoi, norvegjezët deshën 3 milionë euro, që për italianët u dukën shumë edhe pse Halandi ishte 18 vjeç, pra jo aq i vogël. Më pas, sulmuesi norvegjez shkoi tek Salcburgu e tani është tek Dortmundi. “Unë kam disa pendesa në punën time, – tha Marota, – e fundit është për Halandin, pasi nuk menduam me largpamësi”. Gjithsesi, Juventusi thjesht do të kishte mundur të përfitonte financiarisht nga norvegjezi, pasi siç e pohon Marota, “Seria A është një destinacion i ndërmjetëm tani, nuk është pika e mbërritjes, sepse Premier Liga dhe La Liga janë më tërheqëse”. Gjithsesi, nga kartoni i Halandit mund të fitoheshin nja 100 milionë euro dhe kjo do të ishte diçka e madhe.

Sfidanti.al