Spanja është sërish sot një fuqi e futbollit dhe mund ta mbajë topin në zotërim për aq kohë sa të ketë dëshirë, por trajneri i saj, Luis Enrike, e di se do të duhet edhe të ruhet nga kundërsulmi i Francës në finalen e Ligës së Kombeve, ditën e sotme në Milano. “Gjelat” e Deshampit kanë lojtarë si Karim Benzema, Kilian Mbape dhe Antuan Grizman që mund të shënojnë në çdo moment, siç e treguan ndaj Belgjikës kur përmbysën rezultatin nga 0-2 në 3-2. “Do të marrim rrezikun në sy përballë kësaj tresheje, – tha Luis Enrike, – do të kërkojmë të mbajmë topin, sepse në fushë do të jetë vetëm një top. Përsa i përket sulmit, nuk do të ketë problem sepse nuk mendojmë për kundërshtarin kur sulmojmë, ndërsa për mbrojtjen do të ketë edhe këshilla individuale. Gjithsesi, është më e lehtë të japësh këshilla, sesa t’i zbatosh ato në fushë. Besoj se do të jemi të qetë në finale”.
Sfidanti.al