Çfarë turpi për Anglinë, nuk ruan dot as kombëtaren e saj!

Sa më shumë vlerë të ketë “malli”, aq më të mëdha janë masat e sigurisë, por duket se edhe profesionistët më të mirë ndonjëherë dalin huq. Një ngjarje e pazakontë ndodhi në hotelin ku ishte vendosur kombëtarja e Anglisë, në Grouv, pranë Uatfordit. Pavarësisht pranisë së rojeve të specializuara, në të katër anët, një tifoz mundi të hynte në brendësi të hotelit, madje deri tek dhoma e njërit prej lojtarëve, Xhesi Lingardit.

Ishte vetë tifozi që filmoi veten gjatë gjithë këtij aksioni të guximshëm, ndërsa Lingardi u duk qartë që nuk mbeti shumë i kënaqur. Lojtari i ri i Mançester Junajtidit, me siguri ka menduar, se çfarë rreziku mund të kalojë në Kupën e Botës në Rusi, kur edhe në vendin e tij siguria dështon në këtë mënyrë.

Kombëtarja angleze njoftoi policinë e zonës, e cila bëri verifikimet, mori në pyetje palët e përfshira dhe nxorri si përfundim se nuk kishte asnjë veprim kriminal. Dakord, ai që bëri lëmsh forcat e sigurisë ishte tifoz, jo kriminel, por si i bëhet nëse ndonjë keqbërës do të mendojë të njëjtën gjë?

Sfidanti.al