David De Gea dhe Tibo Kurtua kanë qenë ëndrrat e Realit për portën. Dy emrat e mëdhenj kanë ardhur njëri pas tjetrit në listën e dëshirave të presidentit Florentino Perez dhe të trajnerëve Benitez (më parë) e Zidan, por duket se asnjëri prej tyre nuk do të shkojë në “Santiago Bernabeu”, ndërsa klubi spanjoll nuk është se do të mërzitet shumë.
“Eureka” për “merengesit” është pikasja e objektivit të radhës, portierit të Romës, Alison. Braziliani 25-vjeçar po shkëlqen këtë sezon, duke e vendosur në vështirësi të madhe trajnerin e kombëtares, Tite, për të zgjedhur mes tij dhe Edersonit të Mançester Sitit. Ai ka pësuar shumë pak gola, dhe cilësohet si portieri numër 1 i Serisë A.
Reali është i tërhequr jo vetëm nga forma dhe mosha e re e portierit që quhet Alison Ramses Beker, por edhe nga shpenzimi shumë më i vogël për ta marrë. Për De Gean e Kurtuanë, Man. Junajtidi e Çelsi kërkojnë 100 milionë euro e sipër, ndërsa Roma do të kënaqej me “vetëm” 50 apo 60 milionë euro. Po ashtu, Alison do të pranonte gjysmën e rrogës që pretendojnë De Gea e Kurtua.
Sfidanti.al