Ditëlindja është rasti ku gjithkush nga ne pret që të jetë në qendër të vëmendjes dhe të marrë dhurata sa më të bukura. Të mëdhenj e të vegjël nuk bëjnë përjashtim, por Manuel Nojer, e festoi pak më ndryshe ditën e shënuar. Portieri i Bajernit dhe i Gjermanisë, i bëri një dhuratë vetes, duke “e kthyer” në stërvitje pas një mungese të gjatë.
Nojeri, tashmë 32-vjeçar, zgjodhi pikërisht ditën e lindjes për të rinisur stërvitjen që nga dëmtimi që pësoi vitin e kaluar. Një ditë e veçantë, dhe një ngjarje e veçantë. Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, sqaron se “të martën Manueli erdhi tek unë bashkë me trajnerin Andi Këpke dhe me mjekun Myler-Volfart, dhe mjeku më siguroi se gjithçka po ecën mirë”.
Besohet se Nojer e ka nisur stërvitjen duke qenë në 90 për qind të formës, pra jo duke u ushtruar në maksimum, ndërsa javën që vjen mund të arrijë në 100 për qind. Synimi është që ai të luajë për Bajernin këtë sezon, dhe vetëm kështu Lëv do të kishte mundësi ta përfshinte në skuadrën kombëtare që do të marrë pjesë në Kupën e Botës.
Sfidanti.al