Këto pamje nuk janë të një sherri banal në rrugë. Por protagonistë, sulmues dhe viktima, janë përfaqësues të sportit shqiptar. Me keq se kaq: ngjarja është regjistruar në Bosnje, ku peshëngritja e Shqipërisë kishte nisur një delegacion për t’u përfaqësuar. Rrethanat mbeten për t’u zbardhur, ndërsa versioni zyrtar vjen nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes. “Në këtë status do të gjeni videon e Z.Dashamir Caika duke sulmuar dhe dhunuar me thikë trajnerin e Ekipit Kombëtar Z.Bashkim Nikolla dhe sportistin e tij.Bekim Gripshi. Në atë aktivitet Nikolla ishte shef i delegacionit për aktivitetin në Bosnje. Por, Caika ka kërkuar të jetë pjesë e këtij aktiviteti me sportistë që nuk e meritonin dhe federata e ka kundërshtuar këtë kërkesë.
Ai ka sulmuar me thikë Bashkim Nikollën dhe Bekim Gripshin duke menduar se ai ka refuzuar kërkesën e tij. Bëjmë me dije opinionin publik se këto video do të paraqiten ditën e hënë në Prokurori dhe u kërkojmë organeve të drejtësisë të marrë masa përsa i përket kësaj çështjeje tejet serioze. Këta njerëz dhunues, të inkriminuar dhe dashakeqë të heqin duart nga sporti dhe vendi ynë”, lexohet në njoftimin e Federatës që shoqëron videon skandaloze, ku edhe një herë sporti shqiptar ndërthuret me kronikën e zezë.
Sfidanti.al