Çfarë ke bërë Sandra? Kampionia shet medaljet për të larë borxhet!

Sandra Folker (Voelker) ka qenë një nga notaret më të mira të viteve 90-të, fituese e disa medaljeve olimpike. Gjermania nuk është se doli keq me karrierën as në aspektin financiar, por këto kohët e fundit gjithçka i mori për ters, aq sa u detyrua të shiste medaljet për të larë borxhet. Një ankand u zhvillua me një medalje argjendi dhe dy bronzi fituar në Lojrat Olimpike 1996 në Atlanta, dhe ato u shitën për 67 500 euro, diçka që e la të kënaqur ish-notaren.

Çfarë ndodhi me Sandrën? Notarja fitoi mjaft para, por i investoi keq (pavarësisht se flasim për vlera shoqërore, tregu mbetet një xhungël ku, po gabove, more fund)! Jo vetëm kaq, por një nga sponsorët e saj falimentoi dhe nuk i dha 800 000 markat që ishin në kontratë, ndërsa Sandra kishte bërë shpenzime duke menduar se ishte e mbuluar.

“N uk arrija të paguaja qiranë, ndërsa miqtë më ndihmonin me ushqime, – u shpreh ajo, – vetëm në ato kohë të vështira, kuptova se cilat gjëra kishin vërtet kuptim”. Sandra Folker është padyshim një viktimë, por edhe një fajtore, pasi kur e kishte lekun, e shpenzoi pa e vrarë mendjen.

Sandra, sidoqoftë, nuk është e para që bie në këtë “greminë”. Vitin e kaluar, një kampion i shquar olimpik si britaniku Majkëll Dajmënd (Diamond) shiti medaljet e tij të arta për të paguar borxhet dhe për të mbajtur fëmijët. Historia e dhimbshme, u zbulua në nëntor 2017, dhe Dajmënd shiti 2 medalje ari olimpike (fituar në 1996 e 2000), si dhe 5 medalje të arta të Lojrave të Komonuelthit.

Po vitin e kaluar, veçse në dhjetor, u mor vesh se një nga legjendat e futbollit skocez, Xhon Mekgovern, u detyrua të shiste medaljet e tij si kampion i Skocisë për të paguar blerjet që do të bënte në Krishtlindje.

Shumë kohë më parë, një ish-yll brilant si Garrinça i Brazilit, u shua në varfëri, dhe ashtu si ai ka pasur edhe plot të tjerë.

Sfidanti.al