Që organizmi i njeriut është një “mekanizëm” shumë i ndërlikuar, për të cilin do të duhen dekada për ta “zhbiriluar” kjo është e qartë, dhe kjo përforcohet edhe më shumë kur mëson që Kristian Eriksen nuk ka vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje që t’i jepte atë problem që pati në ndeshjen ndaj Finlandës. Mesfushori i Danimarkës, që u rrëzua në fushë dhe u dërgua në spital, mësohet se në 11 vjet karrierë profesioniste nuk ka pasur asnjë problem me zemrën, dhe se i ka kaluar me sukses të gjitha vizitat mjekësore. Siç sigurojnë mediat europiane, padyshim që mjekët do të bëjnë një analizë të hollësishme të gjendjes së tij për të kuptuar se përse i erdhi ajo gjendje që i rrezikoi jetën. Erikseni mësohet se u bë mirë, ose të paktën erdhi disi në vete, që në momentin kur po e nxirrnin me barelë nga stadiumi, me dorën mbi ballë, dhe me sytë në një masë të caktuar të hapur. Më pas, në spital, ai i kishte sytë normalisht të hapura, komunikoi me njerëzit dhe madje foli në telefon me shokët e ekipit duke i nxitur që të luanin.
Sfidanti.al