Prag Angli-Kroaci, a mundet “tre luanët” të hakmerren për humbjen në Kupën e Botës?!

Hera e fundit që ishin përballë ndodhi tre vjet më parë. Angli-Kroaci është ndeshja më e fortë e ditës në Euro 2020, ndërsa përvoja në Kupën e Botës në Rusi në 2018 ishte në favor të ballkanasve. Kroatët fituan 2-1 ndeshjen gjysmëfinale, duke diskutuar titullin botëror me Francën, ndërsa anglezët mbetën në vendin e katërt. Shumica e atyre protagonistëve do të jenë edhe sot përballë në barin e stadiumit “Uembli”, ku Anglia nuk ka humbur kurrë një ndeshje të fazave finale në Europian apo Botëror, duke përjashtuar humbjet me penallti.

Vendasit janë edhe favoritë, dhe trajneri Garet Sauthgejt ka në dispozicion thuajse të gjithë lojtarët që përzgjodhi për këtë turne. Dyshimet e vetme janë për mbrojtësin e qendrës, Harri Megajer të Mançester Junajtidit, si dhe për lojtarin e Arsenalit, Bukajo Saka. Kombëtarja e mbiquajtur e “tre luanëve” është një nga kandidatët për titull në Europian, dhe shpreson t’i japë fund pritjes për trofe të madh në ishull që vazhdon prej vitit 1966.

Kroacia, ndërkaq, nuk ka presion, duke mos qenë favorite, por gjithsesi si nënkampione e botës në fuqi vjen në “Uembli” me pretendime. Trajneri Daliç dhe kapiteni Modriç shpresojnë në rezultat pozitiv dhe në përsëritjen e suksesit të arritur në Rusi në 2018. Dyshimi i vetëm për Daliçin, ish-trajner i Dinamos së Tiranës 13 vjet më parë, është mbrojtësi me përvojë Dejan Lovren.

Sfidanti.al