Çelsi e Paris SG i shtohen menusë së Levandovskit, ku do të shkojë polaku?!

Po mbushet gati një muaj e gjysmë që nga kjo konferencë historike. Robert Levandovski e plasi bombën pikërisht kur ishte në Varshavë me kombëtaren e Polonisë, duke theksuar se epoka e tij tek Bajerni kishte përfunduar, por ende në mesin e korrikut enigma nuk është zbuluar. Ku do të luajë legjenda polake sezonin e ardhshëm? Pas 8 vitesh e 344 golash për bavarezët, 33-vjeçari nuk ka ndërmend të kthehet për të veshur sërish fanelën e lavdishme, veçse nuk është e sigurt nëse do të provojë atë të Barcelonës. Mediat angleze shkruajnë se transferimi në Katalonjë është në rrezik, dhe se në garë do të hyjnë Çelsi dhe Paris SG. Jo vetëm kaq, por vetë sulmuesi mund të zgjedhë Blutë e Londrës nëse nuk realizohet kalimi në “Kamp Nou”. Trajneri Tomas Tuhel ende nuk e ka vendosur se cili do të jetë sulmuesi kryesor i Çelsit, pas largimit të Lukakut, ndërsa mbetet në ajër e ardhmja e Armando Brojës.

Mediat katalanase po ashtu theksojnë se situata është e vështirë pasi Bajerni ka hedhur poshtë ofertën prej 40 milionë eurosh nga Barça, plus disa milionë euro të tjera në formë shpërblimesh. Bavarezët, me anë të Salihamixhiçit, Kahnit apo presidentit Hajner, e kanë bërë të qartë se duan të paktën 50 milionë euro, dhe i duhen të gjitha në dorë menjëherë. Presidenti katalanas, Laporta, ndërkaq ka pranuar se nuk mund të bëhet gjë për Levandovskin nëse nga ekipi nuk do të largohen lojtarë për të siguruar të ardhura financiare. Ndërkaq, në Mynih duket se ka filluar me të vërtetë një epokë tjetër. E gjithë vëmendja është tek heroi i ri, Sadio Mane, me senegalezin që pritet të jetë ylli i ri në vend të Levandovskit, dhe që la përshtypje të thella prej lideri që në seancën e parë stërvitore. Ish-sulmuesin e Liverpulit po e krahasojnë menjëherë me legjendën Frank Riberi.

Sfidanti.al