Briatore bën një sulm origjinal ndaj qeverive për koronavirusin!

Në sportin e tij njihet si një nga drejtuesit më të shquar. Formula 1 njeh pak udhëheqës si Flavio Briatore, njeriu që krijoi skuadrat kampione Beneton e Reno, dhe ndihmoi legjendat Mikael Shumaher e Fernando Alonso të fitonin titullin, ndërsa tani duket se ka fituar një betejë tjetër.

“Në dhjetor, – thotë biznesmeni italian 69-vjeçar, – u sëmura seriozisht. Pata temperaturë të lartë, dhimbje në mushkëri dhe vështirësi në frymëmarrje. Kjo gjendje zgjati 10 ditë, ndërsa vizitat mjekësore tregonin hije të theksuara në mushkëri. Mjeku im i familjes më tha se me siguri që kalova koronavirusin. Për fat, gjithçka është mirë”.

Nuk është 100 për qind e sigurt nëse Briatore kaloi apo jo koronavirusin, por ish-drejtuesi i Benetonit dhe Renosë, është i sigurt se politikanët kanë gabuar totalisht në luftën ndaj epidemisë. Në radhë të parë ai flet për qeverinë në Itali, por edhe për Europën.

“Të gjithë e nënvleftësuan virusin, nuk e morën seriozisht, – u shpreh ai, – Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi që në janar që të gjithë duhej të ishin përgatitur, por asgjë nuk u bë. Një gabim i madh nga politika në nivel botëror”.

Briatore bën një krahasim me mënyrën sesi ai punonte në Formula 1, duke thënë se kur u bë drejtues në këtë sport, nuk kishte ndjekur asnjë garë, por menjëherë ndryshoi. Ai tregon se dërgonte inxhinierë të tij në provat që Ferrari bënte në pistën e tij në Fiorano, në mënyrë që të mësonin, duke e quajtur këtë si punën e tij.

“Kështu duhet të punohet, të mësohet nga përvoja e të tjerëve, por nuk besoj se ndonjë ministër europian ka qenë ndonjëherë në Vuhan për të mësuar për koronavirusin, edhe pse kishte dy fluturime në ditë nga Milano në Vuhan”, – kritikon 69-vjeçari, që kritikon ashpër se nuk u mblodhën rezervat e duhura për maska dhe respiratorë.

Në karrierën e tij, Briatore drejtoi Mikael Shumaherin tek Benetoni, ku doli dy herë kampion në fillim të viteve 90-të, dhe pastaj Fernando Alonson tek Renoja, që gjithashtu u shpall dy herë kampion bote në vitet 2005 e 2006.

Sfidanti.al