Botërori arrin majat e shkencës, Sadio Mane do të shërohet nga një … magjistare!

Jemi në vitin 2022, kur njeriu ka depërtuar 15 miliardë vjet drite larg në Hapësirë, dhe deri në madhësitë më elementare në lëndën tokësore apo në trupin e gjallë, por gjithsesi ka njerëz që ende besojnë tek efekti i disa mrekullive që nuk kanë lidhje aspak me arritjet e humanizmit. Natyrisht (përpiqemi) të jetojmë në një botë të lirë, dhe çdo kush mund të mendojë edhe se fati i tij varet nga kombinimi i yjeve apo nga fundi i filxhanit të kafesë (turke), se Toka është e sheshtë, se njeriu nuk ka shkuar në Hënë, por edhe që riaftësimi i një futbollisti nga dëmtimi mund të ndodhë me anën e një … magjistareje (apo shtrige, siç e thonë anglosaksonët).

Ky është rasti i Sadio Manesë, që është përfshirë në ekipin e Senegalit për Kupën e Botës edhe pse fillimisht u tha se nuk do të rikuperohet dot pas dëmtimit me Bajernin. Vetë Sekretarja e Përgjithshme i FIFA-s, Fatma Samura, pohoi se Federata senegaleze do të angazhojë një grua çudibërëse për të riaftësuar Manenë. Ne supozojmë se pranë “magjistares” do të jenë edhe fizioterapistë e mjekë, por mund të parashikojmë që klubet më të mëdhenj të futbollit si Reali, Barcelona, Bajerni, Liverpuli, Siti, Juventusi, Çelsi apo PSG do të angazhojnë të tilla magjistare në të ardhmen për të zgjidhur më shpejt problemet me dëmtimet.

Sfidanti.al