Botas mund Hamiltonin e Ferrarin, dhe ndihmon rekordet e Mercedesit

Ishte ditë finlandeze në Çmimin e Madh të Japonisë në Formula 1. Në pistën e Suzukës nuk fitoi asnjë makinë Ferrari, siç u mendua pas provave zyrtare, por nuk fitoi as Ljuis Hamiltoni kampion i botës në fuqi. i pari, vijën e finishit e kaloi Valteri Botas me Mercedesin e tij, duke ndihmuar skuadrën të arrinte titullin e 6-të botëror radhazi për konstruktorët.

Hamilton doli i treti, dhe duke mbledhur pikët e së dielës, skuadra gjermane vendosi rekord, duke thyer rekordin e mëparshëm të Ferrarit që doli pesë herë kampion bote radhazi në epokën e Shumaherit. Sebastian Feteli i Ferrarit doli i treti, në një garë ku makinat italiane u nisën në dy vendet e para, por patën start të dobët, ndërsa Leklerk dhe Verstapen penguan njëri-tjetrin.

Vetë Hamilton nuk mundi të shpallej kampion i botës, por sërish suksesi ishte i Mercedesit, pasi asnjë pilot i ndonjë skuadre tjetër nuk mund të shpallet kampion. Titullin, matematikisht, mund ta fitojë vetëm Hamiltoni ose Botasi. Kjo do të thotë, titulli i 6-të radhazi për pilotët e Mercedesit, duke thyer sërish rekordin e Ferrarit, kur Mikael Shumaher u shpall 5 herë radhazi kampion i botës.

Me shumë gjasë, kampion do të jetë anglezi 34-vjeçar, që ka 64 pikë epërsi ndaj Botasit, por që duhet të ketë 78 në Çmimin e Madh të radhës në Meksikë. “Kurrë më parë nuk është bërë kjo gjë, – u shpreh shefi i Mercedesit, Toto Volf, – ju e kuptoni sesi ndihemi. Natyrisht, është Formula 1, është sport, dhe këtu në Japoni kuptuam se ka gjëra të tjera më të rëndësishme, por gjithsesi ne ndihemi shumë të lumtur”.

Renditja e pilotëve: Hamilton 338 pikë, Botas 274, Leklerk 223; Renditja e skuadrave: Mercedes 612 pikë, Ferrari 435.

Sfidanti.al