Suksesi ishte tepër i vuajtur, vetëm 1-0 dhe me gol shënuar në sekondat e fundit (minuta 93). Do të quhej në zhargonin e rrugës (të na falin lexuesit) “fitore me brekë nëpër këmbë”, por atmosfera në stadiumin “Dal’Ara” të Bolonjës nuk ishte aspak e tillë. Publiku, që thuajse e kishte mbushur plot impiantin (25 086 tifozë), kishte ardhur për të qenë dëshmitar i mrekullisë numër 2, pranisë në stol të Sinisha Mihajloviçit, për të dytën ndeshje radhazi të bolonjezëve. Të abonuarit ishin 15 375, shifra më e mirë në 15 vjet!
Kjo është një mrekulli në vazhdim, me lejen e mjekëve padyshim, por që mbetet provë force karakteri. Këtë karakter, Mihajloviçi e tregoi që sezonin e kaluar kur mori një skuadër të shkatërruar dhe të destinuar për të rënë në Serinë B, duke e rindërtuar, duke i dhënë një lojë e duke e shpëtuar në Serinë A.
Në derbin e Rexho Emilias ndaj Spalit, një shqiptar doli në rrugën e serbit për ta penguar, dhe ia doli, kuptohet jo për t’i prishur punë atij, por për të ndihmuar ekipin e tij, Etrit Berisha ishte një mrekulli, që thuajse i siguroi barazimin Spalit. Në minutën e 93-të, Orsolini krosoi për Sorianon që shënoi me kokë. Mihajloviç e arriti fitoren e tij, por tani është sërish në spital, për të fituar betejën me sëmundjen.
Sfidanti.al