Derbi më i madh i botës do të jetë finalja e fundit historike me formatin e vjetër në Kupën Libertadores. Më parë, “biletën” e preu River Plejti, ndërsa mbrëmjen e fundit ia doli edhe Boka Juniors, për të krijuar një çift tërësisht argjentinas. Boka barazoi 2-2 në fushën e skuadrës braziliane, Palmeiras, ndërsa kishte fituar 2-0 ndeshjen e parë. Riveri, ndërkaq, eleminoi Gremion po të Brazilit, veçse pas polemikave të mëdha.
Ndeshja e parë do të luhet në “La Bombonera” të Bokës në 7 nëntor, ndërsa finalja e dytë do të jetë në 28 nëntor në “Monumental”. Duke filluar nga viti i ardhshëm, Kupa Libertadores do të ketë vetëm një finale, që do të luhet në fushë asnjanëse.
Kjo është finalja e parë mes dy rivalëve të mëdhenj, ndërsa favorit pritet të jetë Riveri, që ka fituar dy duelet e fundit me Bokën në Libertadores, në 2014 e 2015. Pikërisht në 2015, River Plejti fitoi titullin e tretë dhe të fundit, ndërsa Boka ka kohë që nuk fiton, që nga viti 2007.
Gjithsesi, Boka ka fituar më shumë trofe të tillë, dhe nëse ia del në këtë finale, do të barazohet me Independienten po të Argjentinës, si ekipet me më shumë tituj në Libertadores, nga 6. Kjo është finalja e 11-të për Bokën, dhe e 6-ta për Riverin.
Sfidanti.al