Bikini në vendet arabe? Po, nëse je volejbolliste e plazhit!

Normat e jetës nuk janë diçka e vendosur një herë e mirë, dhe pikë! Po të ishte ndryshe, raca njerëzore do të kishte vazhduar me martesat në grupe, apo me traditat e lashtësisë e të mesjetës. Por çfarë i detyron ato që të ndryshojnë, përveçse vetë njerëzit, që nënkupton interesin e tyre, qoftë për mbijetesë, qoftë për të qenë në gjendje për të konkurruar me të tjerët. Një ndodhi interesante ishte kjo e polemikave për veshjen e lojtareve në turneun e volejbollit në plazh në Doha të Katarit. Traditat në këtë vend arab janë që femrat nuk vishen në mënyrën sesi vishen volejbollistet e plazhit, pra me veshje plazhi, rroba banje, mbathje e bikini.

Federata Ndërkombëtare e Volejbollit u përpoq të ndikonte që lojtaret të respektonin këtë normë, por pati përballë një kundërshtim, pasi mjaft nga volejbollistet më të mirë deklaruan se më mirë preferonin ta bojkotonin turneun sesa të visheshin ndryshe. Federata padyshim që ka qenë në kontakt me Federatën e Katarit dhe autoritetet, dhe pasi u diskutua një gjë e tillë, u pranua që të lejoheshin lojtaret të visheshin siç donin. Ndryshe, do të kishte më pak nivel, dhe më pak të ardhura nga sponsorët. Besohet se këtu ka edhe një element tjetër. Elita e Katarit padyshim që e kupton nevojën për ndryshim, duke qenë në kontakt me botën, por thjesht dëshiron të jetë e kujdesshme përballë popullit të saj, ende të pamësuar kështu.

Sfidanti.al