Belgjika anulon kampionatin nga virusi, Klub Bryzhi shpallet kampion!

Situatën e kishin tepër të vështirë dhe nuk e zgjatën shumë. Mbi 1 000 jetë të humbura në pak më shumë se 15 000 raste koronavirusi, bënë që autoritetet belge të merrnin vendimin drastik edhe për futbollin. Kampionati i quajtur Jupiler Ligë, u anulua përfundimisht për të sezon, dhe Klub Bryzhit iu dha titulli, edhe pse ka mbetur 1 javë pa u luajtur nga sezoni i rregullt, ndërsa më pas duhej të zhvillohej plej ofi.

Janë të përcaktuara edhe skuadrat që kualifikohen në kupat e Europës, por jo ato që bien nga kategoria apo ngjiten më lart, për të cilat është ngritur një grup pune. Po ashtu, nuk dihet ende fati i finales së Kupës. Pavarësisht se UEFA vendosi pak ditë më parë për të shtyrë aktivitetet kombëtare në qershor, në Belgjikë nuk deshën të rrezikonin, e mesa duket nuk patën shpresë se gjendja do të përmirësohej sa për t’u luajtur futboll, qoftë edhe pa tifozë në stadiume.

Në këtë mënyrë, Belgjika bëhet vendi i parë në botë që anulon përfundimisht kampionatin e futbollit për shkak të koronavirusit, por që nuk anulon titullin kampion. Bryzhi, i trajnerit Filip Klemen, ishte i shkëputur mjaft nga rivalët, me plot 15 pikë më shumë sesa kampionia e vjetshme, Genti. Pas 29 javësh, bluzinjtë mblodhën 70 pikë, me vetëm 1 humbje, dhe vendimi për t’u dhënë titullin ishte i drejtë të paktën në aspektin moral. Ky ishte trofeu i 16-të në histori për Bryzhin, që mbetet gjithsesi tepër prapa rekordmenit Anderleht, që ka 34 tituj.

Sfidanti.al