Pesë transferimet “top” të Interit, më pak se Nejmarit tek PSG!

Po flitet shumë për Lautaro Martinezin dhe kalimin e tij të mundshëm tek Barcelona. Edhe mund të bëhet, sepse thuhet se katalanasit janë gati të paguajnë 112 milionë eurot për kartonin e tij, dhe se sulmuesi e paska shprehur privatisht dëshirën për të luajtur në krah të Mesit. Gjithsesi, tema e shkrimit tonë nuk ka të bëjë me këtë, diçka që do të shihet në verë apo në vjeshtë, por me transferimet-rekord të Interit. Janë pesë të tillë, që nga Zllatan Ibrahimoviçi që shkoi tek Barcelona për 70 milionë euro (plotësuar shifra nga kartoni i Samuel Etosë) në 2009, për të vazhduar me 45 milionë eurot e paguara nga Reali për “Fenomenin” Ronaldo në 2002.

Më pas, kroati Mateo Kovaçiç marrë për 11 milionë euro nga Dinamo e Zagrebit, dhe kaluar tek Reali për 38 milionë. Më pas, Mario Baloteli tek Mançester Siti i Roberto Mançinit për 30 milionë euro, dhe transferimi i Samuel Etosë tek Anzhi i Mahaçkallës në Superligën ruse për 27 milionë euro (dhe rrogë 20.5 milionë euro në sezon). Të pesë transferimet kryesore të Interit, i bie që i kanë dhënë zikaltërve më pak sesa 222 milionë eurot që Barcelonës iu dhanë nga Paris SG për Nejmarin. Të pestë së bashku bëjnë 210 milionë euro.

Sfidanti.al