Gjermania piketon Klopin si pasardhës të Lëvit, por nuk dihet kur mund ta marrë!

Kënga në tribuna është “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”. E sigurt që Liverpuli nuk do të jetë asnjëherë pa tifozët e tij, por në dyshim të madh është nëse këta tifozë do të mbeten apo jo pa trajnerin e tyre të adhuruar, Jurgen Klop. Gjermani impulsiv, që fitoi tre trofe të rëndësishëm dhe, me të cilin të kuqtë janë në prag të titulliar të parë në Angli në 30 vjet, mund të largohet nga stadiumi “Anfild”.

Mediat britanike njoftojnë se Federata Gjermane e Futbollit e ka identifikuar Klopin si pasardhësin e mundshëm dhe më të përshtatshmin për trajnerin e tanishëm të kombëtares, Joakim Lëvin. Ky i fundit është 60 vjeç dhe ka 14 vjet në stolin e “teutonëve”, duke qenë trajneri më jetëgjatë i tyre, pas legjendarit Zep Herberger. Lëvi fitoi Kupën e Botës në 2014 në Brazil dhe Kupën e Konfederatave në 2017 në Rusi, por kombëtarja e drejtuar prej tij dështoi në Botërorin 2018 në Rusi, duke u eleminuar në fazën e grupeve, për herë të parë që nga viti 1938.

Jurgen Klopi është 52 vjeç, dhe ka qenë trajner i Maincit e Dortmundit, përpara sesa të firmoste për Liverpulin në 2015. Me anglezët fitoi Championsin në 2019, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klubet po vitin e kaluar, arriti finalen e Championsit në 2018 dhe atë të Ligës së Europës në 2016. Liverpuli kryeson Premier Ligën pas 29 javësh, i shkëputur ndjeshëm nga Mançester Siti.

Sfidanti.al