Më mirë të themi që fillesën e pati nga mundësia për të hapur një dritare në botë e për të parë futbollin. Bangladeshi është një vend në Azinë Jugore, me popullsi të madhe e që nuk e njeh edhe aq fjalën “pasuri”, por kjo nuk do të thotë se ndjenjat i ka të varfra. Në këtë Botëror po mësohet më mirë se për këtë ekip rreh zemra e publikut në atë vend, dhe emri i skuadrës është Argjentinë. Kremtimet kanë qenë madhështore për çdo sukses të Mesit me shokë, veçse brezi i sotëm duhet t’ia dijë për nder yjeve të viteve 80-të, sidomos “perëndisë” Diego Armando Maradona. Kjo sepse në Bangladesh njerëzit arritën të blinin gjerësisht televizor në atë dekadë, dhe Botërori i parë që u ndoq gjerësisht ishte ai i Meksikës në 1986, që u fitua nga Argjentina nën shenjën e Maradonës. Dashuria ishte, siç thuhet, me shikim të parë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Sfidanti.al