Baloteli bëhet “politik” dhe mbështet protestën ndaj Trampit!

Mario Baloteli nuk pritet të jetë Muhamed Aliu apo Tomi Smith. Sulmuesi italian, një njeri me ngjyrë, nuk ka treguar ndonjëherë pjekurinë apo ndjeshmërinë e ish-boksierit të madh që shkoi në burg sepse refuzoi ligjin amerikan, apo të kampionit olimpik të 1968-ës që protestoi me grushtin e mbledhur, veshur me dorezë të zezë dhe të ngrituar lart, në podiumin e medaljes së artë në Qytetin e Meksikos.

Gjithsesi, futbollisti 27-vjeçar e mbajti një qendrim duke iu bashkuar protestës së lojtarëve të NFL-së amerikane ndaj presidentit të tyre, Tramp. Lojtari i Nisës në Francë postoi një foto të grushtit të mbledhur, të njohur prej dekadash si “fuqia e zezë”, duke e bërë të qartë se çfarë mendon dhe se çfarë ndjen. Ai shtoi fjalët “ne krenarë” dhe “ata do të dështojnë”. Konflikti i mbi 200 lojtarëve të futbollit amerikan me presidentin Tramp nisi pas deklarimit të këtij të fundit se “çdo lojtar që nuk respekton himnin amerikan duhet të përjashtohet”. Një vit më parë, Kolin Kepernik, doli hapur duke thënë se “nuk do të respektonte himnin e një vendi që shtyp zezakët dhe njerëzit me ngjyrë”. Në 1968 kampioni dhe nënkampioni olimpik, Tomi Smith dhe Xhon Karlos protestuan pikërisht për shtypjen raciale në SHBA.

Sfidanti.al