Napoli nuk mundi të imponohej në stadiumin “Maradona”, madje duhet të jetë i kënaqur që shpëtoi pa humbur. Me portierin në formë shumë të mirë, Ospina, napolitanët e trajnerit Xhenaro Gatuzo përballuan me shumë vështirësi Atalantën në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, duke dalë 0-0. Dy shqiptarët ishin në fushë, siç u parashikuan, pra Elseid Hysaj në krahun e majtë të mbrojtjes për vendasit, dhe Berat Gjimshiti në mbrojtjen me 3 lojtarë të Atalantës.
Gjimshiti u vlerësua me notën 6.5 nga “La Gazeta delo Sport”, po aq sa Pesina, dhe vetëm një gjysmë note se dy më të mirët në fushë, portieri napolitan Ospina dhe Frojler i Atalantës. “Ishte një provë e mirë nga ana jonë, – tha trajneri Gasperini, – Napoli është një skuadër e fortë, dhe tani duhet të përpiqemi të kualifikohemi në shtëpi javën tjetër”. Po Gatuzo? Trajneri i Napolit u përqëndrua tek ndeshja, dhe jo tek polemika me presidentin De Laurentis. “Kam folur një herë për këtë gjë, – tha ai, – kam “kënduar” një herë. Edhe mesha mbahet vetë, një herë. Le të flasim për futbollin. Në mbrojtje ishim mirë, por në sulm vuajmë sepse jemi pak dhe sepse luajnë po ata lojtarë”.
Sfidanti.al