Është ende larg që të shkëlqejë me fanelën blu. Armando Broja mbetet në proces riaftësimi pas dëmtimit të rëndë që pësoi dhjetorin e kaluar, por gjithsesi nga Londra ka lajme të mira. Klubi i tij i Çelsit botoi pamje nga rikthimi i shqiptarit në stërvitje me topin dhe nga ushtrime në palestrën, duke njoftuar tifozët se 21-vjeçari është në ecuri të mirë për t’u kthyer në fushë si më parë. Videoja nuk ishte mjaft e gjatë, vetëm rreh 21 sekonda postuar në Instagramin e Çelsit, por aty shihet qartë se Broja është në formë të mirë dhe se dëmtimi i pësuar në 11 dhjetor është lënë pas, në kuptimin që nuk e pengon të vrapojë, të ushtrohet në palestër e të kryejë sado pak veprime me top. Diçitura nga Blutë e Londrës ishte: Duke shtyrë fuqishëm për t’u kthyer edhe më i fortë, kjo është në ADN-në tonë!
Gjithsesi, sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk pritet të kthehet këtë sezon pasi dëmtimi në gju ishte i rëndë, por të paktën gjithçka po ecën sipas parashikimeve. Nuk dihet saktësisht se kur Broja do të kthehet në stërvitje indiviuale në fushë, pra jo më në palestër, ndërsa besohet se do të bashkohet me ekipin në fazën përgatitore përpara nisjes së sezonit të ardhshëm. Ai nuk do të luajë për kombëtaren në ndeshjet eliminatore në Euro 2024 ndaj Polonisë në 27 mars, e kundër Moldovës e Ishujve Faroe në qershor. Shqiptari është aktivizuar pak këtë sezon, në një ekip me konkurrencë të madhe si Çelsi, ndërsa së fundmi mediat raportojnë se Interi i Milanos është i interesuar për shërbimet e tij.
Sfidanti.al