E kishte bërë më parë dhe e realizoi përsëri. Boksieri shqiptar, Ariol Zeneli, arriti tek medalja e bronzit në Kampionatin Europian për të rinj që po zhvillohet në Sofie të Bullgarisë. Duke konkurruar në peshën deri 51 kg, vlonjati realizoi paraqitje të nivelit të lartë, ashtu si Alban Beqiri në Kampionatin Botëror për të rritur apo Florian Marku në boksin profesionist. Ai fitoi në ndeshjen e parë ndaj spanjollit Rafael Lozano Serrano, që ishte kampion i Europës në fuqi, duke dominuar nga fillimi deri në fund. Zeneli përsëriti veten në sfidën e dytë, atë në çerekfinale ndaj sllovakut Vimislicki, duke mos e diskutuar sërish fitoren. Suksesi i boksierit shqiptar ishte me rezultat të njëjtë 5-0, gjë që tregon epërsinë e tij ndaj rivalëve, dhe përgatitjen e tij profesionale. Në gjysmëfinale, ndeshja e boksierit të Flamurtarit të Vlorës është sërish e vështirë, kundër Argatut të Moldavisë, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër ndeshen Ajvazjan i Gjeorgjisë dhe Mamaxada i Azerbajxhanit. Në Europianin e kaluar për të rinj, zhvilluar në Budva të Malit të Zi, Zeneli arriti gjithashtu gjysmëfinalen në peshën deri 48 kg me dy fitore ndaj izraelitit El Okbi dhe polakut Jedrusiak, ndërsa u mund nga Nikita Poluhin i Rusisë.
Sfidanti.al