Anulohet Ballkaniku i atletikës, i prish planet kampiones Luiza Gega!

Kishte plane të rëndësishme për këtë garë. Luiza Gega ishte përgatitur gjatë gjithë kësaj kohe për të bërë një test në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Salla të Mbyllura, që ishte në plan në Stamboll. Themi “ishte” sepse vendimi tashmë është që ky turne, i parashikuar për në 11 shkurt, të anulohet. Tërmeti që shkaktoi një katastrofë të vërtetë në Turqi solli ndalimin e çdo konkurrimi sportiv, që nga futbolli e deri tek atletika. Federata Ballkanike njoftoi zyrtarisht anulimin e Ballkanikut i cili nuk do të zhvillohet, ndërsa ky vendim i prish shumë punë atletes sonë, Luiza Gega. Kampionia e Europës është njëkohësisht edhe kampione e Ballkanit, ndërsa trajneri Taulant Stërmasi tregoi për Abc-në se mungesa e kampionatit është një goditje e madhe për planet e tyre.

Stërmasi informon se Gega do të shfrytëzonte Ballkanikun si një test përpara Europianit gjithashtu në salla të mbyllura që që është në program nga 2 deri në 5 mars. Nga ana tjetër, mbetet i paqartë edhe fati i Europianit sepse edhe ai është planifikuar për në Turqi, dhe nuk dihet nëse autoritetet do të lejojnë rikthimin deri në atë kohë të aktiviteteve sportive. Me gjasë, Federata Europiane e Atletikës mund të marrë vendim për ta zhvilluar turneun diku tjetër.

Sfidanti.al