Anglia mund të fitojë një titull të madh në futboll nga 1966-ta, por me femrat e trajneres holandeze, Vigman!

Kush e harron pasditen e mrekullueshme të 30 korrikut, 56 vjet më parë. Atë të shtunë vere të 1966-ës kombëtarja e Anglisë, ajo e shpikësve të vërtetë të futbollit, fitoi titullin e parë të madh ndërkombëtar, duke u shpallur kampione e botës pas finales shumë të diskutueshme, fituar 4-2 ndaj Gjermanisë Perëndimore. Kanë kaluar 56 vjet dhe “luanët” mund ta fitojnë sërish një trofe të madh, titullin europian, veçse në futboll për femra, pra do të ishin “luaneshat” që do të nderonin vendin. Në finalen e së dielës pikërisht ndaj Gjermanisë, vajzat angleze do të kenë një trajnere holandeze, ndërsa në 1966 kishin anglezin Sër Alf Ramsej. Sarina Vigman ka meritën që ka udhëhequr Anglinë nga fitorja në fitore, madje mediat holandeze po bëjnë shaka se ajo duhet t’i zerë vendin trajnerit të Anglisë për meshkuj, Garet Sauthgejt. Ky i fundit e humbi finalen e vjetshme të Europianit ndaj Italisë pas gjuajtjes së penalltive.

Sfidanti.al