Anglia fiton në Itali pas 62 vitesh, e nis me fitore Europianin!

Një hakmarrje e vogël për shpikësit e futbollit, që padyshim nuk arrin ta fshijë zhgënjimin e finales së humbur të “Uemblit” ndaj të njëjtit kundërshtar, por që tregon se skuadra është e fortë dhe vlen për t’i besuar. Anglia triumfoi 2-1 në “Maradona” të Napolit ndaj Italisë vendase, duke e nisur me fitore fazën eliminatore të Euro 2024. Dy skuadrat luajtën sfidën për titull në Euro 2020 (zhvilluar në 2021), dhe Të Kaltrit e Roberto Mançinit fituan pas penalltive.

Në “Maradona”, “shpikësit” shënuan dy herë në pjesën e parë, me Deklan Rajsin në 13’ dhe Harri Kejnin me penallti në 44’. Pas pushimit, argjentinasi i natyralizuar si italian, Mateo Retegi, shkurtoi diferencën, por Italia nuk mundi të bënte më shumë edhe pse Ljuk Shou doli me të kuq në 80’. Përballja ishte e ekuilibruar, thuajse e barabartë, ndonëse anglezët patën më shumë gjuajtje në kuadrat. Kjo ishte fitorja e parë e Anglisë në fushën e Italisë që nga suksesi 3-2 në 1961.

Sfidanti.al