As Italia dhe as Gjermania nuk e kishin provuar avionin në këtë turne, por tashmë u erdhi radha për ta bërë. Nga të gjitha skuadrat e Europianit vetëm Anglia është mbajtur më shumë me hatër se të tjerat, pasi do të luajë edhe ndeshjen e katërt në fushën e vet. Katër ndeshje në “Uembli”, pasi pas Kroacisë, Skocisë dhe Çekisë, në Londër vjen edhe Gjermania. Nëse të besuarit e trajnerit Garet Sauthgejt do të eleminohen, do të thotë se ata nuk do të lodhen fare për të udhëtuar, ndërsa nëse do të fitonin, do të kishin vetëm një fluturim “bukë e djathë” deri në Mynih për të luajtur çerekfinalen. Nëse ia dalin edhe në të, do të ktheheshin në Londër për dy ndeshjet e fundit potenciale, në gjysmëfinale dhe në finale. Çfarë kontrasti në krahasim me Zvicrën që ka udhëtuar deri tani rreth 12 000 km, ndërsa Uellsi e ka udhëtimin rreth 8 000 km, e po ashtu Belgjika është “rropatur” nëpër aeroplanë!
Sfidanti.al